AKTUALITET /

Ermal Dredha për aksionin e nisur nga Rama: Nismë e nevojshme – Bizneset po reflektojnë, dorëheqjet s’janë të diktuara

Sipas Dredhës, vërejtjet e Ramës duhet të shihen si një nxitje për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

Shkruar nga Versus
Ermal Dredha për aksionin e nisur nga Rama: Nismë e nevojshme –
Pamje nga takimi i Ramës në Vlorë

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në një lidhje direkte në emisionin NOW me Erla Mëhillin, komentoi aksionin e ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike, duke e vlerësuar si një nismë të domosdoshme dhe aspak ofenduese.

Sipas Dredhës, vërejtjet e Ramës duhet të shihen si një nxitje për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve. Ai theksoi se problemet që lidhen me pushtimin e hapësirave publike nga bizneset private janë të trashëguara ndër vite dhe nuk mund të tolerohen më.

Kryebashkiaku u shpreh se shkeljet më të shpeshta ndodhin kur bizneset tejkalojnë kufijtë e lejeve të dhëna, duke zënë më shumë hapësirë se sa u është miratuar. Megjithatë, ai vuri në dukje se tashmë ka nisur një reflektim pozitiv nga ana e këtyre subjekteve, të cilat kanë filluar të marrin masa për të liruar zonat e zaptuara.

Sa i përket dorëheqjeve të disa drejtorëve të bashkisë, Dredha sqaroi se ato janë bërë në mënyrë tërësisht vullnetare dhe nuk kanë qenë rezultat i ndonjë kërkese apo presioni nga kryeministri.

"Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht, pasi problematika është e trashëguar prej vitesh. Të gjithë zyrtarët që punojnë në administratën bashkiake duhet të jenë sy e vesh në monitorimin e hapësirave publike. Funksionarët duhet të jenë të kujdesshëm në ndjekjen e detyrës, ndërsa gjatë inspektimeve në terren kuptuam se disa prej tyre nuk e kishin përmbushur misionin e tyre.

Janë marrë masa me gjoba, ndërkohë që vetë bizneset kanë ndërmarrë hapin për të liruar hapësirat që kishin zaptuar ose, thënë ndryshe, të marra peng. Po mendojmë që tendat të unifikohen për t’i sjellë në standard, ashtu siç ka qenë parashikuar në projektin e Lungomares.

Ne bëmë një analizë, pasi bashkërendojmë punën me qeverinë për të mirën e qytetit dhe shkëmbejmë ide e mendime. Kërkesa për llogari është mëse normale nga ana e kryeministrit, sepse ai ka dëshirën e mirë për t’i shërbyer qytetit. Nuk ka asgjë problematike në këtë pjesë, përkundrazi, është diçka pozitive. Nuk është e vërtetë se kryeministri u ka kërkuar dorëheqjen drejtorëve dhe as nuk i ka takuar."-tha Dredha.

 

Poll