Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën 21 për të pandehurit e dosjes së abuzimeve në Autoritetin Rrugor Shqiptar duke kërkuar 50 vite burg në total. Për ish-kreun e ARRSH, Ervis Berberin kërkohet dënimi me 10 vite burg për akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv në 6 raste, shkelje e barazisë në tendera në 5 raste dhe pastrim parash.
Berberi do të përfitojë uljen e 1/3 të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa përveç dënimit me burg është kërkuar edhe ndalimi për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike.
Gjithashtu kërkohet konfiskimi i parave të gjetura, 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe 1 mln lekë të rinj .
Ndërkohë, për bashkëpunëtorët e tij, ish-kreun e ARRSH, Gentian Gjyli kërkohet dënim me 1.6 vite burg për shkelje barazie në tendera për 2 raste dhe 1.6 vite burg për Erald Elezin, ish-kreun e KESH.
Hetimet e SPAK nxorrën në dritë se Berberi ishte pronar faktik i kompanisë “DAAM” shpk, së cilës i kishte dhënë tenderë gjatë kohës që mbante pozicionet e Drejtorit të Përgjithshëm për Eficencën e Energjisë dhe ARRSH-së. Sipas Prokurorisë së Posaçme, shoqëria “Net Group” në pronësi të Valter Begajt, është përdorur për të devijuar para, drejt një tjetër kompanie, “Daam”, në letër në pronësi të Begajt, por që sipas hetuesve ishte në zotërim indirekt të Berberit. Versus.al


