Familja e gjyqtarit Astrit Kalaja, i vrarë gjatë një seance në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ka kërkuar që shteti ta shpallë atë “dëshmor të atdheut”.
Sipas dokumenteve që disponon media, bashkëshortja e gjyqtarit me një karrierë 32-vjeçare në drejtësi ka kërkuar hapjen e procedurave nga Ministria e Drejtësisë, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Besfort Lamallari.
“Kërkesa përfshin faktin se gjyqtari u vra në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit në emër të Republikës, nga një palë në proces që nxori armën dhe e qëlloi menjëherë pas shpalljes”, thuhet në shkresë.
Familja insiston se rendi dhe qetësia nuk sigurohen vetëm nga policia, por edhe nga gjykatat, duke përfshirë edhe mundësinë që çështja të shkojë në Komisionin Qendror të Statusit të Dëshmorit, një hap që mund të çojë në padinë në gjykatën administrative.
Gjyqtari Kalaja u vra nga Elvis Shkëmbi, i cili kishte një të afërm si palë në një proces disa-vjeçar në Shkodër. Të dy të dyshuarit janë në burg dhe hetimet vazhdojnë, ndërsa prokuroria e Tiranës pret ekspertizën e telefonit për të kuptuar nëse ka pasur bashkëpunim mes tyre për krimin.
Vrasja e gjyqtarit Kalaja riktheu në vëmendje problemet e sigurisë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, pasi në të njëjtën gjykatë trupa gjyqësore kishte marrë kërcënime edhe më parë gjatë shpalljes së vendimeve. Tre gjyqtarë janë pjesë e një gjyqi të hapur për kërcënimet ndaj tyre, ndërsa kushtet e sigurisë vazhdojnë të mbeten të njëjta.

