Gjashtë shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpallën fajtorë si pjesëtarë të një rrjeti kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës në qytetin Swindon.
Të dënuarit janë:
Saimir Neziraj, 32 vjeç – 8 vite burg
Nertil Halili, 29 vjeç – 7 vite e 10 muaj burg
Edmir Beqiri, 37 vjeç – 3 vite e 8 muaj burg
Ergys Abdyli, 26 vjeç – 5 vite e 11 muaj burg
Ardian Gjeta, 26 vjeç – 2 vite e 1 muaj burg
Jorgo Brachousai, 24 vjeç – 16 muaj burg
Hetimi 6-mujor – “Operacioni Young”
Sipas Policisë së Wiltshire, grupi kriminal u godit pas një hetimi 6-mujor të quajtur “Operation Young”. Oficerët e Njësisë për Krime të Rënda dhe të Organizuar (SOCU) zbuluan të gjitha vendet që grupi përdorte për të fshehur drogën dhe për të organizuar shpërndarjen.
Rrjeti kriminal, i njohur si “Denzel”, drejtohej nga Saimir Neziraj, i cili kontrollonte të gjithë qarkullimin e kokainës në zonën e Swindon. Sipas autoriteteve:
Neziraj siguronte lëndën narkotike dhe menaxhonte financat.
Edmir Beqiri ruante kokainën në një magazinë.
Ardian Gjeta dhe Jorgo Brachousai shpërndanin drogën çdo ditë.
Nertil Halili, i cili vepronte nga Derbyshire, kishte rolin e “menaxherit” dhe mbante telefonin e linjës “Denzel”, duke organizuar shpërndarjen me ndihmën e Nezirajt.
Ergys Abdyli ishte burimi i drogës në Londër.
Gabimi që çoi në rënien e grupit
Autoritetet filluan të ndjekin pistën që çoi tek grupi më 1 shkurt 2024, kur vunë re Nezirajn duke udhëtuar drejt Londrës, ku mori drogën nga Abdylit dhe më pas e solli në Swindon për t’u magazinuar nga Beqiri.
Gabimi më i madh i grupit ndodhi në mars 2024, kur Neziraj dhe Halili u panë bashkë në një takim në zonën West Bromwich në Midlands. Gjatë këtij takimi, Halili i dha telefonin “Denzel” Nezirajt – një provë kyçe për hetimin.
Bastisjet dhe arrestimet
Pas këtij momenti, policia nga tre rajone – Wiltshire, Derbyshire dhe Londra Metropolitane – organizoi një seri bastisjesh të koordinuara në fillim të marsit në Swindon, Derby dhe Londrën Veriore. Gjatë aksioneve u sekuestruan sasi të konsiderueshme parash dhe droge, si dhe u arrestuan të gjithë të pandehurit.
Të gjithë anëtarët e grupit pranuan fajësinë dhe u dënuan sipas rolit që kishin në rrjetin kriminal.
Reagimi i Policisë
Oficeri hetues, DC Hunt, deklaroi:
“Si ekip, kemi punuar pa u lodhur për muaj me radhë për të zbuluar dhe dokumentuar aktivitetet e këtij rrjeti. Kokaina është një drogë shkatërruese që ndikon negativisht në komunitetet tona. Ky operacion ka pasur një ndikim real në ndërprerjen e furnizimit me drogë në Swindon. I inkurajoj qytetarët të raportojnë çdo informacion që kanë mbi veprimtari të tilla.” /Versus.al







