
Studentë dhe qytetarë shqiptarë kanë protestuar në Shkup, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, pas kundërshtimeve për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit mbanin pankarta të shumta, ndërsa një nga momentet më të veçanta u bë pankarta e një fëmije me mbishkrimin: “Mos ma përktheni të ardhmen!”.
Sipas organizatorëve, në protestë morën pjesë studentë nga Tetova, Struga, Kosova dhe treva të tjera shqiptare. Policia ka qenë e pranishme gjatë gjithë marshimit.
Organizatorët pretendojnë se disa autobusë me studentë nga Kosova dhe Shqipëria janë devijuar pas kontrolleve policore, duke e konsideruar këtë si përpjekje për pengim të pjesëmarrjes. Gjithashtu, është raportuar për arrestimin e tre personave gjatë protestës.
Kjo është protesta e dytë e studentëve shqiptarë pas refuzimit të kërkesave të tyre nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa më herët protestuesit ishin mbledhur edhe më 6 prill 2026 në Shkup për të kërkuar respektimin e të drejtave gjuhësore.

