Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas seancës së zhvilluar këtë të hënë në GJKKO, ku u vendos që ai dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi të gjykohen në të njëjtin proces, ndërsa për tre të pandehurit e tjerë u pranua gjykimi i shkurtuar.
Në reagimin e tij, Meta pretendon se gjatë seancës Prokuroria ka rrëzuar akuzën kryesore që lidhej me lobimin e pretenduar prej 1 milion dollarësh për një foto me ish-presidentin amerikan Donald Trump.
“Sot, në seancën e radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump”, shkruan Meta.
Sipas tij, prokurori ka pohuar në sallën e gjyqit se bëhet fjalë vetëm për një pagesë prej 15 mijë dollarësh për kompaninë McKeon Group, pagesë që Meta e cilëson të ligjshme dhe që, sipas tij, është deklaruar prej vitesh publikisht dhe para SPAK.
Ish-kreu i shtetit sulmoi gjithashtu mediat e huaja që kanë raportuar mbi çështjen, duke përmendur artikuj të publikuar nga Mother Jones dhe Kronen Zeitung, të cilat ai i cilësoi si “lajme të rreme”.
Meta shtoi se akuzat ndaj tij do të “çmontohen njëra pas tjetrës”, ndërsa prej 19 muajsh, sipas tij, mbahet në “izolim politik”.
SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me çështjen CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së në SHBA.

