AKTUALITET /

Gara luksi Ferrari - Lamborghini në Bypass-in e Vlorës përfundon me gjoba “VIP” nga 62.000 lekë  

Gara mes një Ferrari e një Lamborghini i ka kushtuar gati 1400 euro gjobë dy drejtuesve të automjeteve luksose nga Maqedonia e Veriut

Shkruar nga Versus

Gara luksi Ferrari - Lamborghini në Bypass-in e Vlorës përfundon

Vlora u kthye për pak minuta në një pistë të 'egër' garash, por jo për një film aksion, por për një video virale që tronditi rrjetin. Dy super makina luksoze, me targa të Maqedonisë së Veriut, u filmuan duke zhvilluar manovra të rrezikshme në aksin Vlorë–Orikum, në segmentin e njohur si “Bypass-i i Vlorës”.

Gara me “stil të shtrenjtë”, por me fund të kripur
Pamjet e publikuara nga News24 tregojnë momentin kur dy automjete, në dukje të nivelit super sportiv, sfidojnë çdo rregull të qarkullimit rrugor duke kaluar kthesat me shpejtësi marramendëse, duke parakaluar në zona me fushëpamje të kufizuar dhe pa asnjë ndjesi për sigurinë e përdoruesve të tjerë të rrugës.

Policia e Vlorës ka reaguar menjëherë, duke identifikuar dhe ndëshkuar dy drejtuesit e automjeteve – shtetas nga Maqedonia e Veriut, që vendosën të testojnë limitet e makinave të tyre në një rrugë publike dhe jo në pistë.

Gjobë “VIP” 62.000 lekë secilit
Bazuar në nenin 350 të VKM nr. 153 dhe dispozitat e Kodit Rrugor, të dy shoferët u gjobitën me nga 62,000 lekë, një shumë që ndoshta për makinën që ngasin është simbolike.

Gara luksi Ferrari - Lamborghini në Bypass-in e Vlorës përfundon

Sipas Policisë dy drejtuesit e mjeteve:

- Nuk kanë rregulluar shpejtësinë në kthesa me fushëpamje të kufizuar;
- Kanë zhvilluar gara shpejtësie mes tyre;
- Kanë rrezikuar përdorues të tjerë të rrugës;
- Kanë kryer parakalime të ndaluara në kthesa.

Kujdes: Kamera & Kodi Rrugor nuk falin
Në një njoftim zyrtar, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë fton qytetarët që të denoncojnë çdo sjellje të ngjashme në numrin 112, duke premtuar një reagim të menjëhershëm dhe ligjor.

Nëse doni të bëni gara me makinat tuaja luksoze, më mirë rezervoni një pistë, se sa një gjobë, mund t'ju dalë më lirë! 

 

Poll