AKTUALITET /

Genti kundër Suedisë/ Historia drithëruese e jetimit 21 vjeçar autik shqiptar që pritet të deportohet nga vendi nordik

Në Shqipëri i thanë “të ndërtonin një kafaz në shtëpi” për djalin që nuk ka folur dot kurrë, ngaqë ishte i prekur nga një formë tepër e rëndë e autizmit. Genti lindi 15 vjet pas martesës së prindërve, dy mjekëve të nderuar që kanë ndërruar jetë, duke e lënë birin e tyre në dorën e fatit dhe të pak njerëzve që e duan pa kushte. Versus.al ju sjellë historinë e 21 vjeçarit.     

Shkruar nga Versus
Genti kundër Suedisë/ Historia drithëruese e jetimit 21
Genti Hoxha

Genti Hoxha është 21 vjeç. Por, me gjasë ai këtë nuk e di…  Siç nuk di shumë, shumë gjëra të tjera… Mes të cilave dhe atë të fundit, që për të po bëhet një luftë: Po, po, Genti nuk e di që për të po bëhet një luftë, nga ajo çfarë ka mbetur nga familja e tij, një luftë për ta mbajtur në Suedi.

Genti nuk e di që po lufton kundër Suedisë, kundër sistemit të emigracionit për të fituar statusin e azilantit. Versus.al ka mësuar se prej disa muajsh halla e tij Mimoza Kaloshi dhe vajza e saj Migena, dy qytetare suedeze, po përpiqen me mish e shpirt për të mbajtur Gentin në vendin nordik, por deri tani vendimi i Agjensisë së Migracionit ka qenë kategorik: Genti duhet dëbohet dhe të rikthehet në Shqipëri…

Por, le ta nisim nga fillimi

Kush është Genti

Gati 22 vite më parë në familjen e Luan Hoxhës pritja e mërzia morën fund. Ai dhe bashkëshortja e tij Zyra Elezi, më në fund, pas 15 vitesh të gjata martesë, do të bëheshin prindër.

Genti kundër Suedisë/ Historia drithëruese e jetimit 21
Cifti Luan e Zyhra Hoxha

Dy mjekët që nuk kishin lënë “gur pa lëvizur” ja besuan fatin e tyre kolegëve grekë dhe më në fund për familjen Hoxha, ku Luani ishte djalë i vetëm (i rritur jetim nga babai) erdhi lajmi i shumëpritur: Do të gëzoheshin me fëmijë dhe jo me një, por dy.

Genti dhe e motrat e tij binjake erdhën në jetë në 15 shkurt 2003 dhe famija shumë shpejt e kuptoi se tek biri diçka nuk shkonte. Ai nuk po fliste, nuk reagonte ndaj emrit dhe nuk kishte interes për të ndarë e bërë shumë gjera as me binjaken e tij, por në sytë e tij nuk kishte dhimbje. Atje kishte bërë strehë dielli.


Familja Hoxha dhe të afërmit e tyre e kanë ndjerë gjithmonë Gentin si një fëmijë jo të veçantë për shkak të çrregullimit të lindur, por si një prani që i ka mbushur jetën, i ka bërë më të mirë, më të dashur e njerëzorë.

Dy mjekët, Luani e Zyraja, shumë shpejt u përballën me një sfidë tjetër: nëna e dy binjakëve u diagnostikua me kancer dhe atëherë në shtëpi lufta për jetën u ul këmbëkryq. Zyra Elezi në qershor të 2013 mbylli sytë me siguri me 1000 pengje në shpirt e me dhimbje që nuk e mbanin dot as dy zemra, jo më një… Ajo la pas burrin dhe dy binjakët që nuk ishin më shumë se 10 vjeç kur ajo iku pa kthim.

Më pas një kalvar tjëtër nis për mjekun Luan Hoxha, i cili ka ushtruar detyrën e tij në zonën e Laprakës, në Tiranë. Duhej të kujdesej për dy fëmijët, që ishin amaneti që nuk e treste as dheu. Prindër si të Gentit, e kanë të ndaluar të jetojnë e të vdesin. Ata në një mënyrë shumë instiktive heqin dorë nga jeta e tyre dhe nuk frymojnë më për vete.


Por në krah vitet e para ai pati nënën e tij, Dushe Hoxha, që ja kushtoi ekzistencën nipit e mbesës, derisa edhe ajo shkoi në amëshim pranë të shtrenjtëve të saj që kishin marrë atë rrugë para saj.

Kështu duket se kaluan dhe 10 vitet e tjera të jetës së doktor Luan Hoxhës, në një përpjekje titanike, por të pazëshme, si një hero i një moti tjetër. Ai shkolloi vajzën, që siç thonë të afërmit u rrit shumë para kohe dhe i shërbeu të vëllait me një përkushtim absolut, ndërkohë që të birin doktori e çonte nëpër qendra ditore kujdesi për fëmijët dhe adoleshentët me çrregullimet të spektrit autik.

Me adoleshencën e të birin gjërat vështirësohen. Sytë e qeshur të Gentit dhe goja që kurrë nuk nxorri një fjalë, ashpërsohen herë pas here. Genti e kupton fuqinë e krahëve të tij, forcën e duarve dhe shpesh dhuna drejtohej nga ata që i shërbenin më shumë, kryesisht babait… Ky, në fund të vitit të kaluar “u pre në besë” nga zemra që aq shumë dhimbje e gëzime kishte mbajtur dhe ndërroi jetë pikërisht natën e Krishtlindjeve, në 24 dhjetor të vitit të kaluar.        

Por përpara se babai i tij të ndërronte jetë, halla e Gentit, i kishte propozuar të vëllait që të tentonin ta çonin djalin në Suedi dhe të aplikonin për azil. Siç duket zemra e doktorit e ndjeu se po vinte fundi dhe pabëza, puthi djalin, i dha bekimet motrës dhe Genti udhëtoi drejt Suedisë.

Lufta për Gentin

Halla Mimoza Kaloshi dhe e bija, Migena, e kanë dashur gjithmonë pakushte djalin. E duan dhe tani… Ndaj, atyre “nuk ju bëjnë sytë dritë” para asgjëje, përpara sigurisë dhe mirëqënies e jetës së Gentit.

Nënë e bijë, të cilat jetojnë që prej 1997 në Suedi, nisën aplikimet për të përfituar statusin e azilantit Genti, i cili nga ana tjetër nuk ka një kujdestar për gjendjen e tij shumë të rëndë, pasi është diagnostikuar me autizëm të shkallës së 4.


Motra e tij është vetëm 21 vjeçare dhe veç shkollës edhe punon ku e sa të mundet për vete dhe dritën e saj të syve dhe shpirtit: të vëllait. Në këto kushte muajt e fundit Mimoza e Migena nisin kalvarin sa nëpër gjykata e sa nëpër spitale: Genti nuk mund të rrijë gjatë me ta, pasi ai bëhet i dhunshëm, aq sa nuk e mbajnë dot as 4 policë…

Genti kundër Suedisë/ Historia drithëruese e jetimit 21
Duart me shenja nga kafshimet

Genti të vë duart në fyt, ndërkohë që veten e lëndon me kafshime të pashpirta e të vazhdueshme. Institucionet e përshtatshme për qëndrimin e të rriturve të prekur nga forma të rënda autizmi, si në rastin e Gentit, janë disa në Suesi, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka “një për be”, përpos spitaleve psikiatrike. Por Genti nuk është i sëmurë psiqik dhe nuk e ka vendin aty… Lufta për ta mbajtur në Suedi, duket se po merr përgjigje negative njëra pas tjetrës. Genti është mesa duket “barrë” për shtetin e vendit nordik, i cili ka vendosur me vetëdije që pavarësisht se nuk ka struktura të përshtashme për Gentin këtu dhe as prindër e kujdestarë që të kujdesen për të: Genti duhet të kthehet në atdhe…

Genti kundër Suedisë/ Historia drithëruese e jetimit 21

Familja e hallës së Gentit këmbëngul se kjo histori e ky vendim i Agjensisë së Migracionit suedez mund të jetë dhe një gabim njerëzor, që shpresojnë të ndreqet. Mimoza e Migena Kaloshi kërkojnë me gjithë forcën e shpirtit: “ndihmën me urgjencë tuajën për të shpëtuar 21-vjeçarin, i cili aktualisht po përballet me një situatë jashtëzakonisht të cenueshme dhe kërcënuese për jetën. Genti po kërkon azil në Suedi, por Agjencia e Migracionit ka vendosur ta dëbojë atë drejt Shqipërisë, pavarësisht faktit se ai do të jetë krejtësisht i vetëm këtu, pa asnjë formë mbështetjeje apo kujdesi.”

Ata kanë bërë një peticion online dhe ftojnë qytetarët që të nënshkruajnë nga një adresë emaili reale peticionin për të ndikuar kësisoj te vendimmarrësit që kanë fuqinë të ndryshojnë jetën e Gentit.

Genti kundër Suedisë/ Historia drithëruese e jetimit 21
Peticioni i publikuar online
 
 

“Realiteti është i dhimbshëm – Shqipëria nuk ka kujdesin ose mbështetjen e duhur që Genti ka nevojë dëshpërimisht. Në fakt, kur iu drejtuam shërbimeve psikiatrike në Shqipëri për ndihmë, na thanë se e vetmja alternativë do të ishte të ndërtonim një kafaz për të në shtëpi, pasi ai nuk mund të përballet vetëm dhe nuk ka asnjë rrjet tjetër sigurie për të. Genti tani është në rrezik të dërgohet në një vend ku ai nuk ka asnjë mjet për të mbështetur veten ose për të marrë kujdesin që i nevojitet. Si një individ jetim, autik dhe jo verbal, ai është plotësisht i varur nga ndihma e të tjerëve për të mbijetuar. Dërgimi i tij mbrapa do të thotë ta detyrojmë atë të jetojë në kushte që janë të padenja për çdo qenie njerëzore, dhe ne kemi frikë për jetën dhe sigurinë e tij. Ne ju lutemi të na ndihmoni të rrisim ndërgjegjësimin për situatën e tij. Genti nuk mund të flasë për veten e tij, prandaj ne duhet të jemi zëri i tij. Suedia ka qenë gjithmonë një shembull i të drejtave të njeriut dhe kujdesit për më të cenueshmit, dhe ne besojmë se së bashku, mund të bëjmë një ndryshim në jetën e Gentit duke i bërë thirrje Agjencisë së Migracionit të rishikojë këtë vendim. “’ – thuhet në peticionin e nisur nga Migena Kaloshi. Aktualisht këtë peticion e kanë nënshkruar gati 3000 persona, por sa më shumë firma e aq më mirë do të jetë për rastin e Gentit.

Aktualisht Genti Hoxha, nuk e di se mund të hipet në një avion së bashku me ndonjë punonjës social dhe të dërgohet “si pako postale” për tu riatdhesuar për Shqipëri, këtu ku nuk e pret askush e asgjë… / Versus. al

 

 

      

Dokumenta bashkëngjitur

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: