AKTUALITET /

GJKKO vendos: Ilir Beqaj jashtë kafazit në gjyqin e Sterilizimit, seanca shtyhet për 21 maj

GJKKO vendosi që Ilir Beqaj të qëndrojë jashtë kafazit në seancat për dosjen e Sterilizimit, ndërsa gjyqi u shty për 21 maj. Ish-ministri vijon të jetë nën masën “detyrim paraqitjeje” për këtë çështje, por mbahet në izolim për një procedim tjetër penal që lidhet me fondet e BE.

Shkruar nga Versus
GJKKO vendos: Ilir Beqaj jashtë kafazit në gjyqin e Sterilizimit,
Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të qëndrojë jashtë kafazit në seancën e radhës për dosjen e Sterilizimit. Vendimi u mor nga GJKKO, pas kërkesës së vetë Beqajt.

Gjykata, me trupë gjykuese të përbërë nga Rudina Palloi, Irena Gjoka dhe Erion Çela, arsyetoi se numri i ulët i pjesëmarrësve në sallë, fakti që ka vetëm një të pandehur dhe sjellja e tij gjatë procesit, si dhe mungesa e masës “arrest me burg” në këtë çështje, lejojnë që Beqaj të qëndrojë pranë avokatëve.

Megjithatë, ai ndodhet aktualisht në izolim për një tjetër procedim penal, që lidhet me dyshime për abuzim me fondet e BE në projektin SASPAC.

Nga ana e akuzës, prokurori Edvin Kondil deklaroi se Beqaj po hetohet nën masën “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për çështjen e Sterilizimit, ndërsa izolimi i tij vjen si pasojë e një mase tjetër sigurie në një dosje të ndryshme.

Gjykata urdhëroi gjithashtu njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve për zbatimin e vendimit.

Seanca u shty për në 21 maj, ora 09:00, me qëllim që i pandehuri të jetë i pranishëm pranë mbrojtjes së tij gjatë paraqitjes së kërkesave të tjera. Ndërkohë, avokatët e Beqajt pritet të kërkojnë edhe pushimin e çështjes, për të cilin do të vendosë GJKKO./Versus.al

 

Tags:

ilir beqaj

Poll