AKTUALITET /

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Veliajt për t'u liruar! Kryebashkiaku mbetet në paraburgimin e Durrësit

Më herët GJKKO nuk ka pranuar garanci pasurore për të liruar Veliajn nga paraburgimi i Durrësit nga ku po hetohet për disa vepra penale.

Shkruar nga Versus

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Veliajt për t'u

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, për t'u liruar nga paraburgimi i Durrësit ku po mbahet prej 10 shkurtit të këtij viti me urdhër të SPAK.

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Medi Bici dhe Sokol Binaj si dhe relatore Albana Boksi.

Kryebashkiaku dyshohet se ka kryer veprat penale të korrupsionit pasiv në 9 raste, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë nëpërmjet një skeme të ngritur në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa e cila po hetohet nën masën “detyrim paraqitje”.

Më herët, Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar disa kërkesa të Veliajt për t’u liruar nga qelia ndërsa SPAK po e heton kreun e bashkisë më të madhe të vendit edhe për akuzë tjetër të shtuar gjatë paraburgimit “futja e sendeve të paligjshme në qeli”.

Pjesë e skemës së ngritur nga Veliaj për përvetësimin e fondeve publike nga bashkia e Tiranës, dyshohet të jenë edhe biznesmenë të cilët përfitonin nga tenderat e bashkisë dhe kryenin pagesa të ndryshme tek qendra “Harabeli” nën pronësinë e Ajola Xoxës. Aktualisht biznesmeni Elman Abule po hetohet nën arrest shtëpie, ndërsa 5 biznesmenët e tjerë, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha po hetohen nën masën “detyrim paraqitje”. Versus.al

Poll