Dosja e bujshme “5D”, që përfshin një grup ish-zyrtarësh të lartë të Bashkisë së Tiranës, do të shqyrtohet me procedurë të zakonshme gjyqësore. Trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar kërkesat e disa prej të pandehurve për t’u gjykuar të ndarë nga pjesa tjetër e grupit, duke vendosur që çështja të trajtohet në një proces të përbashkët.
Kjo do të thotë se për shtatë të pandehurit – Redi Molla, Taulant Tusha, Mariglen Qato, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muhametllari – gjykimi do të vijojë në themel, në një proces të vetëm.
Më herët, të njëjtët persona kishin kërkuar të përfitonin nga gjykimi i shkurtuar, por edhe kjo kërkesë u hodh poshtë nga trupa gjykuese.
Të arrestuar në muajin mars 2024 me urdhër të SPAK-ut, ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe përfshirje në skema të paligjshme tenderash. Ata u lanë në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa pesë të tjerë – Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhametllari, Deborah Keçi dhe Englatina Zere – janë hetuar në masën “detyrim paraqitje”. Ndërkohë, Deborah Keçi dhe Englatina Zere, së bashku me disa anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), janë veçuar nga grupi kryesor dhe do të gjykohen në një çështje të mëvetshme.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Redi Molla dhe Mariglen Qato janë pronarët de facto të kompanisë “5D Konstruksion”, një firmë që ka përfituar sistematikisht tenderë nga Bashkia e Tiranës përmes abuzimeve me procedurat ligjore.
Konkretisht, SPAK ka evidentuar 11 tendera të fituar në periudhën 2016-2022, në shkelje të rënda të ligjit. Kompania në fjalë operonte dhe me emra të tjerë, si “Igor Electric” dhe “Vas Construction”, për të shmangur gjurmimin e lidhjeve të saj me zyrtarët. Procesi gjyqësor pritet të zbardhë në detaje skemën e abuzimit me fondet publike dhe rolin e secilit të pandehur në këtë aferë që ka tronditur administratën lokale të Tiranës. Versus.al







