Seanca gjyqësore për çështjen e njohur si “Dosja 5D” është zhvilluar nën tension të lartë, me përplasje mes avokatëve mbrojtës dhe qëndrime të kundërta për vijimin e procesit, bëjnë me dije burime për mediat.
Avokatët e të pandehurve Redi Molla dhe Denion Bogdani depozituan një kërkesë për gjykim të shkurtuar, duke kërkuar që seanca të mos vijonte përpara se të shqyrtohej kjo kërkesë në themel. Në të njëjtën linjë, edhe mbrojtësit ligjorë të Ermir Betës dhe Ardian Lekës kërkuan shtyrjen e seancës me të njëjtin arsyetim procedural.
Në kontrast me qëndrimin e kolegëve, avokatja Evi Sheri, që përfaqëson të pandehurin Taulant Tusha, kundërshtoi hapur kërkesën për shtyrje, duke insistuar që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë pa vonesa. Qëndrimi i saj ndezi debat në sallë, duke shkaktuar përplasje mes palëve të mbrojtjes.
Prokurori i çështjes, Klodian Braho, deklaroi se kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk është arsye e mjaftueshme për të pezulluar vijimin e seancës, duke shtuar se procesi duhet të ecë përpara në respekt të afateve ligjore.
Përballë tensioneve dhe qëndrimeve të ndryshme, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për të dhënë një vendim të ndërmjetëm lidhur me kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe pasojat procedurale të saj.
Çfarë është “Dosja 5D”?
“Dosja 5D” “5 drejtorët” përfshin hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj disa ish-zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës, të cilët akuzohen për abuzime me tenderat publikë dhe përfitime të paligjshme përmes kompanisë “5D Konstruksion”.
Të pandehurit dhe akuzat
Në qendër të hetimeve janë ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës:
Redi Molla, ish-drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT)
Mariglen Qato, ish-drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT)
Taulant Tushe, ish-drejtor i Ndërmarrjes së Punëve Publike.
Ata akuzohen për “korrupsion pasiv” dhe “mosdeklarim pasurie”. Sipas SPAK, këta zyrtarë kanë favorizuar kompaninë “5D Konstruksion” në tendera publikë, duke përfituar personalisht nga këto veprime të paligjshme. Kompania dyshohet se është themeluar dhe kontrolluar në mënyrë të fshehtë nga vetë këta zyrtarë, për të përfituar nga fondet publike. Versus.al







