
Qeveria ka miratuar Akti Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2025.
Sipas Ministrisë së Financave, pas analizës së performancës 8-mujore të treguesve buxhetorë dhe fiskalë, u vendos që të bëhet një rishikim i buxhetit për të reflektuar zhvillimet e reja dhe për të harmonizuar parametrat financiarë me ecurinë aktuale të ekonomisë.
Në total, 21.8 miliardë lekë janë akomoduar për shpenzime korente dhe kapitale, përmes rishpërndarjes së kursimeve dhe hapësirave të tjera fiskale.
Nga këto, 7.97 miliardë lekë i dedikohen rritjes së investimeve me financim të brendshëm, me fokus në infrastrukturë, dixhitalizim dhe projektet publike me prioritet.
Po ashtu, buxheti parashikon një fond shtesë prej 5.9 miliardë lekësh për bonusin e fundvitit për pensionistët, duke e çuar në 9.7 miliardë lekë fondin total të dedikuar për këtë politikë sociale në vitin 2025.
Nga ana tjetër, të ardhurat e përgjithshme pritet të rriten me 12.1 miliardë lekë, falë tejkalimit të të ardhurave tatimore, doganore dhe të kontributeve shoqërore.
Një ndër elementët kryesorë të këtij akti është ulja e deficitit buxhetor në 61.6 miliardë lekë ose 2.4% të PBB, nga 2.6% e parashikuar në buxhetin fillestar. Ministria thekson se kjo ulje lidhet me menaxhimin më të mirë të borxhit publik dhe kushtet më të favorshme të financimit. Monitor.al