
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka bërë me dije në Kuvend se marrëveshja me Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim do të mundësojë elektrifikimin e plotë të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe stacionit të Rinasit.
Gjatë prezantimit të projektligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Karakaçi tha se financimi do të shërbejë për ndërtimin e infrastrukturës energjetike dhe përshtatjen e linjës me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas ministrit, ky projekt do të sjellë për herë të parë në Shqipëri një shërbim hekurudhor tërësisht me trena elektrikë.
“Me këtë financim bëhet i mundur elektrifikimi i plotë i linjës, ndërtimi i infrastrukturës energjetike dhe ndërtimi sipas standardeve të BE-së, duke sjellë për herë të parë një shërbim hekurudhor me trena elektrikë”, u shpreh Karakaçi.
Ai bëri me dije se punimet civile në këtë segment kanë përfunduar, ndërsa sistemet e sinjalizimit janë drejt finalizimit. Gjithashtu, sipas tij, po vijon puna për ndërtimin e stacioneve të reja.
Me përfundimin e procedurave të marrëveshjes, nis zyrtarisht faza e elektrifikimit të linjës, me objektiv që hekurudha Tiranë-Durrës dhe lidhja me Rinasin të jetë plotësisht funksionale për qytetarët deri në fund të vitit 2027./ Versus.al

