
Një protestë ndryshe është zhvilluar në Bulevardin e Tiranës, ku një i ri ka dalë me një orë simbolike në duar, duke kërkuar përgjigje për premtimet e pambajtura politike.
Me mesazhin “Tik Tak, edhe sa kohë duhet të presim që të kemi një jetë dinjitoze?”, protestuesi ngriti shqetësime për disa prej problematikave që, sipas tij, vijojnë të mbeten të pazgjidhura në vend.
“Ky është një mesazh shumë i thjeshtë për të gjitha gjërat që janë premtuar. Pyetja është: edhe sa kohë duhet të presim për ujë 24 orë? Për një shëndetësi të denjë? Për drita 24 orë? Për një infrastrukturë bazike? Sa kohë duhet të presim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?”, u shpreh ai.
I riu tha se qytetarët duhet të mbajnë mend premtimet e bëra gjatë fushatave elektorale, duke theksuar se shumë prej tyre, sipas tij, ende nuk janë realizuar.
“Para se të votojnë, gjithmonë bëhen premtime: do të kemi ujë 24 orë, drita 24 orë, do të anëtarësohemi në BE, do të ndërtohen projekte të mëdha, por shumë prej tyre nuk janë bërë”, deklaroi ai.
Protestuesi u shpreh se nuk është i lodhur nga pjesëmarrja në protesta dhe se do të vijojë të ngrejë zërin për çështjet që i konsideron të rëndësishme.
“Lodhja është e panegociueshme në momentin që nevojat bazike janë në rrezik”, tha ai./Versus.al

