
Dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 3 në Tiranë janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohen për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.
Në pranga kanë rënë efektivët D. B., 25 vjeç, dhe E. K., 23 vjeç, të dy me gradën Inspektor dhe me detyrë pjesë e Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në kryeqytet.
Sipas AMP-së, hetimi nisi pas publikimit të disa pamjeve filmike në rrjetet sociale më 16 korrik 2026, të cilat u analizuan dhe u verifikuan nga strukturat hetimore. Nga hetimet dyshohet se efektivët kanë marrë ryshfet gjatë ushtrimit të detyrës.
Dy punonjësit e policisë akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.
AMP ka bërë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale.
Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore u ka bërë apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast korrupsioni apo abuzimi nga punonjësit e Policisë së Shteti./Versus.al

