AKTUALITET /

Britania dënon deklaratën rraciste të ministres serbe: Rrezikojnë nxitjen e tensioneve në rajon!

Në një komunikatë të publikuar nga ambasada, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike (Foreign Office) deklaroi se referencat ndaj spastrimit etnik të Kosovës janë të dëmshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme

Shkruar nga Versus

Britania dënon deklaratën rraciste të ministres serbe:

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka reaguar pas deklaratave të ministres serbe Snezana Paunoviç ndaj Kosovës, duke i dënuar ato ashpër dhe duke i cilësuar si të papranueshme.

Në një komunikatë të publikuar nga ambasada, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike (Foreign Office) deklaroi se referencat ndaj spastrimit etnik të Kosovës janë të dëmshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme.

“Dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezana Paunoviç, përfshirë referencat e saj ndaj spastrimit etnik të Kosovës. Ato janë krejtësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, thuhet në reagimin britanik.

Sipas Londrës zyrtare, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të angazhuara për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe shumetnike, deklarata të tilla rrezikojnë të rikthejnë ndasitë e së kaluarës dhe të rrisin tensionet në rajon.

Ambasada britanike theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbështet stabilitetin dhe bashkëjetesën në Ballkanin Perëndimor, ndërsa u bëri thirrje liderëve politikë që të refuzojnë qartë çdo gjuhë që nxit përçarje.

Ndërkohë, në komunikatë bëhet e ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka hedhur poshtë komentet e ministres Paunoviç./Versus.al

Poll