
Ministrja serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, po përballet me pasoja politike dhe ligjore pas deklaratave të saj për Kosovën, të cilat kanë shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe ndërkombëtarisht.
Paunoviq deklaroi në një intervistë për televizionin serb “Kurir” se, nëse do të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq gjatë vitit 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”. Këto deklarata kanë sjellë reagime dhe dënime të shumta.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ka ngritur padi ndaj Paunoviqit për nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit. Ajo i ka kërkuar Prokurorisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore dhe të procedojë çështjen në gjykatë.
Përveç padisë në Kosovë, ministrja serbe po përballet edhe me një kërkesë për shkarkim në Kuvendin e Serbisë. Deputeti shqiptar Shaip Kamberi njoftoi se 53 deputetë opozitarë i kanë kërkuar kryeministrit serb, Gjuro Macut, që të propozojë shkarkimin e Paunoviqit.
Kamberi deklaroi se qeveria serbe duhet të distancohet nga çdo deklaratë që nxit ide të dëbimit apo përjashtimit mbi baza etnike, duke shtuar se përgjegjësia politike do të jetë e kryeministrit nëse ajo mbetet në detyrë.
Deklaratat e Paunoviqit janë dënuar edhe nga Bashkimi Evropian. Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka shprehur kundërshtimin e saj dhe ka ngritur pikëpyetje se përse ministrja vazhdon të mbajë postin qeveritar.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është distancuar nga deklaratat e ministres, duke thënë se ato nuk përfaqësojnë qëndrimin e tij personal dhe as atë të Qeverisë së Serbisë.
Çështja ka rikthyer në vëmendje debatet për të kaluarën e luftës në Kosovë, ku gjatë viteve 1998-1999 pati mijëra viktima dhe dëbime masive të popullsisë civile shqiptare./Versus.al

