
Një 31-vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e policisë pasi u kap duke transportuar katër pistoleta të fshehura në automjetin e tij në tunelin e Skërficës.
Arrestimi i shtetasit K. B. u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Mekanizmi”, pas një hetimi disa-javor të zhvilluar me metoda speciale.
Sipas policisë, 31-vjeçari, i cili rezulton me precedentë në fushën e narkotikëve, dyshohet se ishte përfshirë në transportimin e armëve të zjarrit. Katër pistoletat ishin fshehur në dyshemenë e automjetit me të cilin ai udhëtonte.
Nga hetimet dyshohet se armët ishin trafikuar në pjesë të ndryshme dhe më pas ishin montuar në Shqipëri, me qëllim shitjen e tyre te një grup kriminal në Sarandë.
Gjatë operacionit policor u sekuestruan katër pistoletat dhe automjeti i përdorur nga 31-vjeçari.
Hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e grupit./Versus.al

