
Një fluturim i kompanisë Ryanair nga Selaniku drejt Mynihut u kthye në një situatë dramatike, pasi një pasagjer rrezikoi jetën pas thyerjes së një dritareje të avionit në lartësi të madhe.
Svetlana Grkoviq, bashkëshortja e pasagjerit Ljubisha Karoviq, ka rrëfyer momentet e tmerrit gjatë incidentit, ku sipas saj dekompresimi i kabinës e tërhoqi bashkëshortin e saj drejt hapjes së krijuar nga thyerja e xhamit.
Në ato momente, sipas dëshmisë së saj për portalin serb Nova.rs, në avion u krijua panik, por disa pasagjerë ndërhynë për të ndihmuar.
“Disa njerëz më erdhën në ndihmë, mbaj mend një burrë dhe një grua. Ai burrë më ndihmoi shumë. Ia mbajtëm këmbët bashkë Ljubishës, ndërsa avioni po kthehej në aeroportin e Selanikut”, tregoi Svetlana.
Ajo shprehu mirënjohjen e saj për një prej pasagjerëve që e ndihmoi në ato momente, duke thënë se beson se ai ishte shqiptar.
“Mendoj se ishte shqiptar, shumë faleminderit. Nuk ia mbaj mend emrin dhe as nuk e di nëse ma tha. Do të doja ta takoja dhe ta falënderoja përsëri personalisht”, u shpreh ajo.
Incidenti ndodhi gjatë fluturimit, ndërsa avioni ndodhej rreth 6000 metra mbi tokë. Pasagjerët u përballën me momente paniku, ndërsa ekuipazhi u detyrua të kthente avionin në aeroportin e Selanikut.
Ljubisha Karoviq mbeti i plagosur dhe vijon të jetë në spital, ndërsa po merr trajtim mjekësor për dëmtimet e marra./Versus.al

