AKTUALITET /

Katër helmime tek Akademia e Sigurisë pa përgjegjës! AKU zhbllokon aktivitetin e kompanisë katering "Sori-Al"

Në total janë analizuar mostra nga vaktet e drekës dhe darkës, si dhe tamponë higjienikë të ambienteve dhe pajisjeve

Shkruar nga Versus
Katër helmime tek Akademia e Sigurisë pa përgjegjës! AKU

Për herë të dytë brenda pak javësh, kompania e kateringut “Sori-Al” ka rezultuar konforme me standardet e sigurisë ushqimore, ndërsa ende mbetet e paqartë se çfarë shkaktoi shqetësimet shëndetësore te dhjetëra studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët përfunduan në spital me shenja të dyshuara helmimi.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “Sori-Al”, pas analizave të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), të cilat, sipas AKU-së, kanë rezultuar brenda normave të lejuara.

Sipas njoftimit zyrtar, janë analizuar gjithsej 33 mostra nga ushqimet e servirura në Garnizonin “Skënderbej”, si dhe tamponë higjienikë nga ambientet dhe pajisjet e kuzhinës. Rezultatet kanë treguar se treguesit mikrobiologjikë kanë qenë brenda parametrave të sigurisë.

Pas pezullimit të aktivitetit, kompania “Sori-Al” ka kryer edhe analiza të vetëkontrollit për ambientet, pajisjet dhe punonjësit, të cilat gjithashtu kanë rezultuar konforme me kërkesat ligjore.

Më 10 korrik, AKU ka kryer një tjetër inspektim në ambientet e kuzhinës në Garnizonin “Skënderbej”, ku janë marrë edhe tre mostra të tjera tampon ambientale për analizim. Edhe këto rezultate kanë rezultuar pozitive, duke çuar në heqjen e masës së pezullimit.

Pavarësisht rezultateve të analizave dhe rikthimit të aktivitetit të kompanisë, mbetet ende pa një përgjigje përfundimtare pyetja se cili ishte shkaku i gjendjes shëndetësore të studentëve të Akademisë së Sigurisë, të cilët u paraqitën në spital me simptoma të dyshuara helmimi.

Hetimet dhe verifikimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë./Versus.al

Poll