AKTUALITET /

U arrestua pas aksidentit ku humbi jetën një 7-vjeçar, Apeli lë në burg regjisorin Petri Bozo

Apeli vendosi të mos pranojë ankimin e Bozos, i cili kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë më të butë

Shkruar nga Versus

U arrestua pas aksidentit ku humbi jetën një 7-vjeçar, Apeli

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për regjisorin Petri Bozo, i arrestuar pas aksidentit tragjik në të cilin humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar.

Apeli vendosi të mos pranojë ankimin e Bozos, i cili kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë më të butë. Si rrjedhojë, ai do të vijojë të qëndrojë në burg deri në një vendimmarrje tjetër të organeve të drejtësisë.

Aksidenti fatal ndodhi mëngjesin e 25 majit në aksin nacional Elbasan–Librazhd, në fshatin Mengël, pranë shkollës 9-vjeçare "Sulejman Rranci". Automjeti i drejtuar nga Petri Bozo përplasi për vdekje 7-vjeçarin.

Sipas të dhënave të bëra publike pas ngjarjes, fëmija kishte shoqëruar motrën në shkollë së bashku me nënën, ndërsa vetë do t'i zhvillonte mësimet pasdite. Dëshmitarët në vendngjarje deklaruan se, teksa nëna dhe djali po drejtoheshin drejt një dyqani pranë shkollës, i mituri dyshohet se iu shkëput nga dora nënës dhe doli në rrugë, duke i prerë rrugën automjetit që drejtohej nga Bozo.

Rrethanat e plota të aksidentit vijojnë të jenë objekt i hetimeve, ndërsa me vendimin e Apelit mbetet në fuqi masa e sigurisë ndaj regjisorit./Versus.al

Poll