
Ministrja serbe Snezana Paunoviç ka reaguar pas deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”, duke pretenduar se fjalët e saj janë nxjerrë nga konteksti.
Në një intervistë televizive, Paunoviç i kërkoi falje presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë serbe, duke theksuar se ata “nuk kanë as faj dhe as përgjegjësi” për deklaratën e saj. Ndërsa kurrsesi nuk shprehu keqardhje apo nuk kërkoi falje ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Ajo tha se vetëm disa sekonda nga një intervistë më e gjatë u morën dhe u kthyen në një çështje politike, ndërsa këmbënguli se nuk bëhej fjalë për një qëndrim zyrtar të institucioneve serbe. “Kjo është historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të shpjegosh se kjo nuk është politikë e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo.
Deklarata e ministres kishte shkaktuar reagime në Kosovë dhe Shqipëri, pasi ajo foli për çështjen e Kosovës duke thënë se nëse do të ishte në vend të Millosheviçit, do të kishte kryer të gjithë spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Versus.al

