
Kuvendi miratoi këtë të enjte një paketë projektligjesh që prekin sektorin e bujqësisë, ndërsa votimet u shoqëruan me një qëndrim ndryshe nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili nuk mbështeti të gjitha nismat e paraqitura nga mazhoranca.
Braçe abstenoi gjatë votimit të projektligjit “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, i cili u miratua me 71 vota pro, një abstenim dhe një votë kundër. Kundër këtij projektligji votoi deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri.
Ndërkohë, projektligji “Për censin e bujqësisë” u miratua me 77 vota pro dhe një votë kundër, ndërsa edhe ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e kimikateve” kaluan me 78 vota pro dhe një kundër. Në të dyja rastet, vota e vetme kundër ishte ajo e deputetit Erald Kapri.
Me 76 vota pro dhe një kundër u miratua edhe projektligji për ndryshimet në ligjin “Për akuakulturën”, ku sërish kundër votoi Kapri.
Qëndrimi më i fortë i deputetit socialist Erion Braçe u regjistrua gjatë votimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për mbrojtjen e tokës bujqësore’”, ku ai votoi kundër së bashku me Erald Kaprin. Nisma u miratua me 78 vota pro dhe dy kundër.
Opozita nuk mori pjesë në asnjë prej votimeve, pasi bojkotoi seancën plenare./Versus.al

