Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshme deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, pas një padie për shpifje të ngritur ndaj saj nga biznesmenia Vilma Nushi në lidhje me çështjen e njohur si “Sterilizimi”.
Në seancën gjyqësore të së enjtes, Vilma Nushi u paraqit në gjykatë e shoqëruar nga avokatët e saj, të cilët kërkuan që Vokshi të shpallet fajtore, duke pretenduar se deputetja kishte shkelur ligjin përmes deklaratave të saj publike, që sipas tyre përmbanin opinione fyese dhe shpifje në adresë të klientes së tyre. Megjithatë, gjykata rrëzoi akuzat dhe e deklaroi Vokshin të pafajshme.
Pas dëgjimit të palëve, togat e zeza vendosën që të rrëzojnë padinë e Vilma Nushit duke shpallur kështu të pafajshme Albana Vokshin.
Pas këtij vendimi, në një deklaratë të shkurtër për mediat, Vokshi e cilësoi këtë një fitore të saj dhe opozitës.
“Është një betejë që unë, PD dhe kolegët e opozitës e kemi bërë prej më shumë se 10 vitesh. Zonja Nushi në një moment të caktuar nervozohet çuditërisht pasi përmenda faktin që ajo ka qenë sponsore e PS dhe mikeshë e Ramës, një gjë e pranuar publikisht edhe nga vetë kryeministri”, u shpreh Vokshi ndër të tjera.
Albana Vokshi, deputete e Partisë Demokratike dhe njëherazi ish-kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar për Shëndetësinë, ishte paditur për shpifje nga biznesmenia Vilma Nushi dhe kompania e saj “3P Life Logistic”, për deklarata të bëra gjatë hetimeve mbi koncesionin e sterilizimit.
Padia erdhi pas akuzave publike të Vokshit, e cila pretendonte se kompanitë e lidhura me Nushin kishin përfituar qindra miliona euro nga kontratat koncesionare në shëndetësi, përfshirë edhe atë të Check-Up-it, që aktualisht është objekt hetimi nga SPAK./Versus.al







