Vrasësi me pagesë Henrik Hoxhaj, i pandehur në kuadër të dosjes së njohur si “Plumbi i artë”, ka dëshmuar sërish këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, ku ka dhënë versione të reja lidhur me ngjarje të rënda kriminale.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj deklaroi se Nuredin Dumani i kishte ofruar 100 mijë euro për vrasjen e biznesmenit Lulzim Masha dhe 150 mijë euro për vrasjen e djalit të tij. Sipas Hoxhajt, porosia për eliminimin e djalit ishte dhënë nga Eldi Dizdari.
Ai shpjegoi se, për shkak se djali i Lulzim Mashës nuk po gjendej, plani ishte ndryshuar dhe objektiv ishte bërë vetë Masha, me synimin që pas atentatit i biri të shfaqej. Hoxhaj tregoi gjithashtu edhe motivin e kësaj porosie.
Sipas dëshmisë së tij, vëllai i Eldi Dizdarit kishte qenë i lidhur sentimentalmente me vajzën e Lulzim Mashës, gjatë së cilës disa pasuri me vlerë miliona euro ishin kaluar në emrin e saj. Pas ndarjes, vajza nuk kishte pranuar t’ua kthente këto pasuri vëllezërve Dizdari, çka – sipas Hoxhajt – çoi në porosinë për vrasje.
“Porosinë për Lulzim Mashën Nuredini ma dha në Kosovë, në Gjilan. Fillimisht objektiv ishte djali, por nuk e gjetëm. Ai më tha se pas ndarjes, familja Masha nuk kishte kthyer para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emrin e vajzës”, deklaroi Hoxhaj në seancë.
Ai shtoi se arma për atentatin ishte siguruar nga Aleksandër Baho, i njohur me nofkën “Sakati”, përmes ndërmjetësimit të Dumanit. Sipas tij, arma i ishte bllokuar Skerdi Tases në momentin e atentatit.
“Armën na e dha ‘Sakati’. Kishim bërë edhe prova dy ditë para. Kur u krye ngjarja ndaj Lulzim Mashës, unë dëgjoja komunikimet në radio policie. Skerdit i ngeci arma dhe në radio jepeshin përshkrimet e tij”, u shpreh Hoxhaj.
Megjithatë, dëshmia e tij u pa me rezerva, pasi më herët kishte deklaruar se nuk e dinte për llogari të kujt ishte dhënë porosia. Po ashtu, deklaratat e Hoxhajt bien ndesh me ato të Nuredin Dumanit, i cili ka pohuar se porositësi i atentatit ishte vetë Aleksandër Baho (“Sakati”).
Si Aleksandër Baho, ashtu edhe Eldi Dizdari dyshohet se ndodhen aktualisht në Dubai.
Atentati ndaj biznesmenit Lulzim Masha, administrator i një shkolle private në Tiranë, ndodhi më 18 janar të vitit të kaluar, në zonën e Liqenit të Thatë. Një person ende i paidentifikuar qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Benz” që drejtohej nga Masha, i cili ishte i vetëm në makinë. Nga të shtënat nuk pati persona të lënduar.

