
Policia Kombëtare e Ekuadorit ka çmontuar një strukturë kriminale të lidhur me mafian shqiptare, e cila operonte në provincat Guayas, Pichincha dhe El Oro, sipas mediave ekuadoriane.
Operacioni çoi në arrestimin e 16 personave, kryerjen e 26 kontrolleve dhe sekuestrimin e 7.64 tonëve drogë, me një vlerë të vlerësuar prej 346 milionë dollarësh në tregun evropian.
Hetimi zgjati më shumë se një vit dhe nisi në tetor 2024, pas një operacioni në zonën Barbones, në El Oro, ku u sekuestrua gjysmë toni lëndë narkotike dhe u arrestuan tre persona. Pas kësaj, autoritetet ekuadoriane bashkëpunuan me Europol-in, si dhe me autoritetet e Holandës, Belgjikës dhe DEA-n amerikane.
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, deklaroi se organizata dërgonte ngarkesa të kontaminuara nga portet ekuadoriane drejt destinacioneve të ndryshme në Evropë. Ai konfirmoi se gjatë operacionit u realizuan 26 kontrolle në disa provinca, duke çuar në arrestimin e 16 personave.
Operacione të koordinuara në Evropë
Hetimet zbuluan lidhje të drejtpërdrejta me shtetas shqiptarë të konsideruar objektiva prioritare në procese të njëkohshme në Spanjë. Në Holandë u zhvilluan operacione paralele, ku në operacionin “Victoria” u sekuestruan 2.5 ton drogë dhe u arrestuan pesë persona, shtetas holandezë dhe rumunë.
Më pas, në operacionin “Victoria II”, autoritetet holandeze sekuestruan edhe 1.2 ton të tjera pa arrestime. Në një tjetër operacion u konfiskuan 3.2 ton drogë dhe u arrestuan tre shtetas shqiptarë. Në total, operacionet në territorin evropian arritën në 7.64 tonët e raportuara.
Sipas ministrit Reimberg, goditja ekonomike ndaj organizatës kriminale tejkalon 346 milionë dollarë.
Pasuri të sekuestruara dhe të arrestuar në Ekuador
Gjatë kontrolleve në Ekuador, policia konfiskoi 14 automjete luksoze, 20 telefona celularë, armë zjarri, bizhuteri dhe mbi 800 mijë dollarë cash të gjetura në banesa të lidhura me rrjetin kriminal.
Mes të arrestuarve është Hernán Ruilova, i kapur në Machala, i cili sipas autoriteteve ishte pjesë e strukturës që kontaminonte ngarkesat drejt Evropës.
Gjithashtu u arrestua edhe ish-deputeti Salomón Padua, i cili dyshohet për përfshirje në krim të organizuar dhe trafik droge.
Qeveria paralajmëron operacione të reja
Ministri konfirmoi se në qendrën operative të ngritur në vend morën pjesë agjentë të Europol-it, Policisë së Antverpenit, njësisë kombëtare të hetimeve të Holandës dhe DEA-s.
Ai njoftoi se nga 15 deri më 30 mars do të zhvillohen operacione të mëdha në katër provinca, në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme dhe shtetrrethimit të shpallur nga presidenti. Sipas tij, bashkëpunimi me SHBA përfshin shkëmbim informacioni, sekuestrim armësh dhe veprime kundër dërgesave të paligjshme.
Reimberg shtoi gjithashtu se vrasjet e dhunshme kanë shënuar një ulje prej rreth 10% gjatë muajit shkurt, si pjesë e strategjisë kundër strukturave kriminale./Versus.al

