AKTUALITET /

Hakerimi i kompjuterave të prokurorëve të posaçëm, SPAK çon për gjykim ish-drejtorin e Burgjeve dhe 2 të tjerë

Të tre të pandehurit akuzohen se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.

Shkruar nga Versus
Hakerimi i kompjuterave të prokurorëve të posaçëm,
Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni

Prokuroria e posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen hetimore për hakerimin e kompjuterave të disa prej prokurorëve të posaçëm. Të pandehur janë marrë, ish-drejtori i burgjeve, Agim Ismaili, Zambak Gjoni si dhe hakeri Arnold Rrokaj.

Të tre akuzohen se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal. Rrokaj dhe Gjoni janë nën masën 'arrest me burg' ndërsa Agim Ismaili u hetua në gjendje të lirë. Rrokaj hakeroi kompjuterat e prokurorëve të posaçëm dhe më pas materialin e mbledhur e shpërndau tek Gjoni, Ismaili të cilët e përcollën tek persona të tretë. 

Njoftimi i SPAK:

Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;
Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

I pandehuri Arnold Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek të pandehurit, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shperndajnë ato më pas tek persona të tretë.

Shtetasit Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj u identifikuan në një kohë të shpejtë (brenda 24 orësh) dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

Si rezultat i veprimeve te shumta hetimore dhe analizimit te tyre, akuzat u zgjeruan dhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të shtetasit, Agim Ismaili, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm. Versus.al

Poll