
Një banor i kompleksit banesor “Erges”, përballë hotel “Eter” në zonën e Pishave të Buta në Golem, ka denoncuar për redaksinë e Lexo.al zaptimin e hapësirës publike nga një subjekt privat që operon si bar-piceri në ambientet ngjitur me pallatin.
Ai shpreh shqetësimin se vendosja e këtij lokali në oborrin e kompleksit ka sjellë probleme të shumta për jetesën e tij dhe familjes së tij. Banori thekson gjithashtu se aktiviteti është zhvilluar pa transparencë dhe pa miratimin e banorëve.
“Unë kam një banesë në katin e parë të njërit prej pallateve dhe shqetësimi im është se aty është një bar piceri që ka zaptuar një pjesë të oborrit të kompleksit. Mua më ka ardhur ngjitur me ballkonin.”
Ai thekson se për shkak të kësaj situate nuk mund të përdorë as ambientin e ballkonit, pasi klientët e lokalit shkaktojnë zhurma dhe shqetësime të vazhdueshme.
“Nuk dal dot në ballkonin tim sepse aty janë lloj-lloj klientësh që hanë dhe pinë dhe na shqetësojnë. Plus muzika e lokalit është problem më vete.”
Një shqetësim tjetër serioz që ai përmend është vendosja e disa bombulave të mëdha të gazit pranë mureve të pallatit, që sipas tij përbëjnë një rrezik të madh për jetën e banorëve.
“Kanë vendosur disa bombula të mëdha gazi në faqet e murit të pallatit dhe ky është një problem shumë i madh, sepse kemi frikë se mos plasin. Ne nuk dimë si janë instaluar dhe kemi frikë nga ndonjë eksplozion.”
Përveç rrezikut, ai thekson edhe dëmtimin e strukturës së kompleksit, i cili ka shkaktuar përmbytje në banesë gjatë shirave dimërorë.
“Të zotët e lokalit kanë prishur dhe strukturën e ambientit. Në dimër, kur bien shirat, na mbushen shtëpitë me ujë. Jam detyruar të bëj një shpenzim shumë të madh për këtë gjë, por kjo nuk mund të vazhdojë më.”
Sipas tij, këto ndërhyrje bëhen në dimër, kur shumica e banorëve nuk janë të pranishëm, ndërsa në verë, gjithçka gjendet e përfunduar:
“Të gjitha këto punë bëhen në periudhën që është dimër dhe në kompleks nuk ka banorë. Kur vijmë në verë, i gjejmë të mbaruar.”
Ai shprehet i zhgënjyer nga mungesa e reagimit të institucioneve vendore, si Komuna e Golemit dhe Bashkia e Kavajës, të cilave u është drejtuar me shkresa zyrtare, por nuk ka marrë përgjigje:
“I jam drejtuar Komunës së Golemit disa herë dhe më thonë që ‘e dimë rastin dhe do të vijmë për ta zgjidhur’, por nga ana e tyre nuk ka pasur asnjë interesim. I jam drejtuar edhe me shkresë zyrtare, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Nuk dua të aludoj për ndonjë mirëkuptim të pronarës me persona të komunës, por kjo situatë është e papranueshme.”
Edhe ndaj Bashkisë së Kavajës është bërë ankim zyrtar, por pa rezultat: I jam drejtuar me shkresë zyrtare Bashkisë së Kavajës, por as këta nuk më kthejnë përgjigje, edhe pse e kanë detyrim ligjor.
Banorët e tjerë të pallatit, sipas denoncuesit, kanë shprehur të njëjtat shqetësime dhe kanë firmosur një ankesë të përbashkët, duke kërkuar prishjen e ndërtimit dhe kthimin e hapësirës publike në gjendjen e mëparshme. Lexo.al do të ndjekë nga afër zhvillimet e kësaj çështjeje dhe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme./Lexo.al