AKTUALITET /

Hapet Samiti i Diasporës në Tiranë, Bajram Begaj dekoron figura të shquara, mes tyre dhe Lorik Canaj

Shkruar nga Versus

Hapet Samiti i Diasporës në Tiranë, Bajram Begaj dekoron figura

Është çelur sot në ambientet e Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit Samiti i IV i Diasporës Shqiptare, që këtë vit vjen me moton “Lartësojmë rrënjët tona”.

Fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili në këtë aktivitet nderoi disa personalitete të spikatura të diasporës shqiptare me tituj të lartë.

Gentian Toshkezi u dekorua me “Urdhrin Suprem të Shqiponjës”, ndërsa ish-kapiteni i Kombëtares Lorik Cana u vlerësua me titullin “Kalorës në Urdhrin e Skënderbeut”. Gjithashtu, Klarita Gërxhani dhe Shqiponj Telhaj u nderuan me “Urdhrin e Kalorësit të Lisit Akademik”.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e diasporës shqiptare, duke u shprehur se ajo është një aset i pazëvendësueshëm për vendin dhe duhet të jetë pjesë integrale e vizionit për të ardhmen.

Bajram Begaj: Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës sesi mendojmë për shtetin dhe për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar. Kur flasim për diasporën sot, flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty, nga maja e IA, te institucionet ndërkombëtare, te auditorët e universiteteve më të mira, te arti e sporti.

Samiti IV i Diasporës Shqiptare, i cili do të zhvillohet deri më 15 prill. Në kuadër të Samitit, diskutimet do të përqëndrohen në çështje kyçe, duke nisur nga roli i diasporës në forcimin e demokracisë dhe përfaqësimit, ndikimi i saj në zhvillimin ekonomik dhe inovacion, si edhe kontributi në sektorë të rëndësishëm si shëndetësia, arsimi dhe kërkimi shkencor.

Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet angazhimit të diasporës në proceset zgjedhore dhe institucionale, si dhe rritjes së investimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave mes saj dhe Shqipërisë. Po ashtu, në fokus do të jetë edhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe faktorëve shqiptarë në rajon, me synim ndërtimin e një qasjeje të koordinuar ndaj diasporës.

Samiti do të vijojë deri më 15 prill dhe pritet të trajtojë tema që lidhen me rolin e diasporës në zhvillimin e vendit, përfshirjen në jetën demokratike, si dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, arsimor dhe institucional mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit./Versus.al

 

Poll