Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ushtruar kontrolle në disa objekte në jug të vendit gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbritur në terren në kuadër të hetimeve për dosjen e skandalit të AKSHI-t ku miliona euro të taksapaguesve shqiptarë përfundonin në duart e Ergys Agasit.
Mësohet se kontrollet me vendim të GJKKO janë kryer në disa vila në Palasë, konkretisht në 2 vila të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ergys Agasi dhe një vilë të Ermal Beqirit. Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar materiale e pajisje që pritet t’i shërbejnë hetimit të thelluar të SPAK për këtë dosje kriminale.
Kujtojmë se për këtë skandal, deri më tani janë caktuar 8 masa sigurie, mes të cilave edhe “arrest shtëpie” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Së bashku me 2 biznesmenët që qëndrojnë në qendër të kësaj veprimtarie kriminale, Karçanaj dyshohet ishte pjesë e grupit kriminal që ka kryer disa vepra të rënda penale që nga konkurrenca e paligjshme përmes dhunës tek rrëmbimi dhe shkelja e barazisë në tenderat prej miliona eurosh. Versus.al

