
Itali- Një 18 vjeçar shqiptar i identifikuar si Valjero Maksuti mbeti i vdekur si pasojë e një aksidenti të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Bolonja ku po tentonte që së bashku me shokun e tij 19 vjeçar t’i arratiseshin policisë pasi mjeti “Audi” ishte i vjedhur.
Shoku i tij po ashtu shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, është arrestuar nga policia. Mësohet se dy të rinjtë prej disa vitesh kishin mbërritur në Bolonja të pashoqëruar nga ndonjë familjar i tyre. Ata ishin futur në komunitetet për të mitur dhe sapo kishin mbushur moshën madhore, u larguan nga strukturat e ngritura nga shteti italian.
Përplasja me shtyllën gjatë ndjekjes së policisë
Viktima sapo kishte mbushur moshën madhore dhe ishte larguar nga qendrat e pritjes për të mitur. Në rrjetet sociale pati reagime të shumta të miqve dhe familjarëve të tij të cilët e kujtuan me foto e shkrime për momentet e kaluara së bashku.
I riu kishte vetëm një precedent penal, ishte denoncuar më herët për vjedhjen e një monopatine dhe për kundërshtimin e një punonjësi policie gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, 19-vjeçari që drejtonte makinën, pa patentë, deri në atë moment rezultonte pa asnjë precedent penal. Tani ai është arrestuar për vrasje rrugore dhe denoncuar për rezistencë ndaj një punonjësi publik dhe përvetësim të automjetit të vjedhur. Në makinën e vjedhur me të cilën po udhëtonin dhe nga e cila u arratisën pas kontrollit të policisë, u gjetën një grusht hekuri, një çekiç thyes xhamash dhe mjete për hapje me force. Versus.al







