Në Malishovë të Përmetit është krijuar një situatë alarmante për shkak të rrëshqitjes së dherave. Tetë banesa të fshatit ndodhen në rrezik të menjëhershëm dhe rrëshqitja ka arritur vetëm 1 metër larg themeleve të shtëpive.
Në videon e bërë më 8 janar tregohet situata e rëndë që rrezikon jetën e familjeve që banojnë në 3 prej banesave. Një prej banorëve të zonës raporton se shtëpitë lëkunden vazhdimisht duke krijuar ndjesinë e një tërmeti.
“Jam banor i fshatit Maleshovë, në rrethin e Përmetit, dhe po ju shkruaj me shqetësim të thellë dhe frikë reale për jetën e familjeve tona. Si pasojë e reshjeve të mëdha, në fshatin tonë ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu, e cila po përhapet në një sipërfaqe shumë të gjerë. Aktualisht 8 banesa ndodhen në rrezik të menjëhershëm, ndërsa në 3 prej tyre jetojnë familje, ku rrëshqitja ka mbërritur vetëm 1 metër larg themeleve. Është krijuar një humnerë rreth 300 metra e gjatë dhe mbi 40 metra e thellë, që po zgjerohet vazhdimisht. Banesat lëkunden fort në çdo moment, duke krijuar ndjesinë e një tërmeti të pandalur dhe duke rritur rrezikun për shembje. Kjo situatë është jashtëzakonisht alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse, për verifikim në terren, evakuim të banorëve dhe marrje masash emergjente, përpara se të humbasë ndonjë jetë njerëzore. Jeta e familjeve tona është në rrezik”- thuhet mes të tjerash në denoncimin e banorit.
Kjo zonë është jashtëzakonisht e rrezikuar edhe për faktin se janë prerë pemët e pyjet që mund të kishin penguar rrëshqitjen e dherave në këtë masë. Versus.al

