
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga ish-presidenti Ilir Meta, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të vendosur më herët ndaj tij. Me këtë vendim, instanca më e lartë e drejtësisë i ka mbyllur çdo mundësi Metës për të lënë qelinë, ku ndodhet prej 21 tetorit 2024.
Ish-kreu i shtetit kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, duke argumentuar se nuk ekzistojnë më kushtet për mbajtjen e tij në burg. Por Gjykata e Lartë ka vlerësuar se vendimi i mëparshëm i Apelit të Posaçëm ishte i drejtë, duke urdhëruar që Meta të vazhdojë qëndrimin në paraburgim deri në përfundim të procesit gjyqësor.
SPAK e ka marrë Metën të pandehur për disa vepra penale të rënda, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe fshehjen apo mosdeklarimin e pasurisë. Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme dyshohet se Meta ka përfituar shuma të konsiderueshme parash në mënyrë të paligjshme gjatë ushtrimit të funksioneve publike, ndërsa një pjesë e këtyre të ardhurave dyshohet të jetë fshehur përmes skemave të ndërlikuara financiare.
Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të hapë rrugën për përshpejtimin e fazës së dytë të procesit penal ndaj Metës, një çështje që vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike dhe politike në vend.







