
Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar me tone të forta nga qelia lidhur me dhunimin e avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili u sulmua nga dy persona ende të paidentifikuar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta e ka cilësuar ngjarjen si një akt banditesk, duke kërkuar që autorët jo vetëm të identifikohen, por edhe të vendosen sa më shpejt para drejtësisë.
“Dënoj me ashpërsi sulmin ndaj Avokatit Kujtim Cakrani nga dy banditë, të cilët jo vetëm duhet të identifikohen, por edhe të vendosen para ligjit sa më shpejt,” shprehet Meta në reagimin e tij.
Më tej, ish-kreu i shtetit thekson se sulmet ndaj avokatëve nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një klime më të gjerë presioni dhe frikësimi.
“Nuk është hera e parë që sulmohen avokatët, sepse jetojmë në një regjim ku ata konsiderohen jo vetëm të panevojshëm, por edhe problematikë,” shkruan Meta, duke ngritur shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në fund të reagimit, ai shpreh solidaritetin e plotë me avokatin e tij, familjen e Cakranit, si dhe me të gjithë komunitetin e juristëve.
“Solidaritetin tim të plotë me Avokatin Cakrani, me familjen e tij, si edhe me të gjithë kolegët!”
Reagimi i Metës nga qelia i shton edhe më shumë tension zhvillimeve të fundit, ndërsa ngjarja ka rikthyer në vëmendje sigurinë e avokatëve dhe klimën e dhunës ndaj përfaqësuesve të drejtësisë në vend./ VERSUS

