
Kosovë-Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas raportit Murseli nuk vuan nga asnjë çrregullim apo sëmundje mendore, as e përkohshme dhe as e përhershme. Gjithashtu, nuk janë gjetur shenja të abuzimit me substanca psikoaktive apo alkool.
Ekspertët konkludojnë se në momentin e kryerjes së veprës penale, Murseli ka qenë i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe i ka kuptuar pasojat, çka e bën atë plotësisht të përgjegjshëm ligjërisht.
Ai konsiderohet i aftë për të ndjekur procesin gjyqësor, për t’u mbrojtur, për të bashkëpunuar me avokatët dhe për të kuptuar akuzën ndaj tij.
Gjendja e tij psikike përshkruhet si e qëndrueshme: është i qetë, bashkëpunues, me funksione kognitive të ruajtura dhe pa shenja të çrregullimeve mendore.
Ndërkohë familja e Liridona Ademajt ka mirëpritur raportin e Forenzikës.
Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj ka shkruar se presin gjykim të drejtë dhe profesional.
“Ne si familje e mirëpresim raportin e Forenzikës në lidhje me rastin e vrasjes së Liridonës tonë dhe shpresojmë që gjykata do të vazhdojë të procedojë shpejtë me rastin ashtu siç ka bërë deri më tani. Ne duam drejtësi të shpejtë. profesionale, pa gabime dhe vendosshmëri nga ana e gjykatës që të mos lejojë që ky rast të zvarritet me vite”, shkruan Leoanrd Ademaj, përmes një postimi në Facebook./Versus.al







