
Durrës- Babai i 15 vjeçarit që mbeti i plagosur me thikë disa ditë më parë ka folur për News24 lidhur me gjendjen e djalit të tij dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë për të cilën është arrestuar autori 14 vjeçar.
Ai tha se i mituri nuk është më në rrezik për jetën dhe se po pritet që truri i tij të reagojë për të parë dëmtimet që mund të ketë.
“Kemi dalë nga gjendja e rrezikut. Presim reagimin e trurit dhe më pas të dalim nga intubimi. Më pas do të shohim dëmtime në zemër apo në tru. Këto janë çështje të shëndetësisë dhe me detaje nuk di çfarë të shpjegoj. Por këtë e thotë mjeku i zemrës. Parametrat janë optimale. Kemi një problem të ulur, por një trajektore të mirë. Do të shihen reagimet e djalit, do të shohim maksimumi brenda dy ditëve”, tha ai.
Ndërsa për sherrin, babai i të miturit deklaroi se shkak kishte qenë një debat në rrjetin social “TikTok” ku të miturit janë sharë me njëri tjetrin.
“Gruaja është në gjendje jo të mirë, herë qan, herë e mban veten, por na mban besimi te Zoti. Ata kanë debatuar dhe janë sharë me njëri-tjetrin në TikTok për protagonizëm. Ia lëmë dhe shtetit pjesën tjetër”- shtoi babai i 15 vjeçarit. Versus.al

