Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë pesë persona të akuzuar për përfshirje në skema të korrupsionit në zgjedhje.
Vendimi u dha pas një procesi të përshpejtuar gjyqësor, ku të pandehurit pranuan gjykim të shkurtuar, duke përfituar ulje të dënimit.
Katër nga të pandehurit, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Engjell Cara dhe Florant Saraçi u shpallën fajtorë për korrupsion aktiv në zgjedhje, në bashkëpunim dhe të përsëritur.
Secili prej tyre u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 1 vit burg.
Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke i lënë të lirë me kusht për një periudhë prove 2-vjeçare.
Gjatë kësaj kohe, ata nuk duhet të kryejnë vepra të tjera penale dhe duhet të paraqiten pranë Shërbimit të Provës.
I pesti, Shkëlqim Hoxha, u shpall fajtor për moskallëzim krimi.
Ai u dënua me 4 muaj burg pas uljes së dënimit, por nuk do të vuajë dënim në qeli. Gjykata vendosi që burgimi të zëvendësohet me punë në interes publik.
Hoxha do të kryejë 60 orë punë komunitare brenda 6 muajve dhe do të jetë nën mbikëqyrje nga Shërbimi i Provës.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që celularët e sekuestruar gjatë hetimit t’u kthehen tre prej të pandehurve, ndërsa shpenzimet e procesit gjyqësor do të paguhen prej tyre në mënyrë të përbashkët.

