Stafi i emergjencave civile u mblodh pasditen e sotme për të diskutuar mbi gjetjen e një zgjidhje për rrëshqitjen masive të dherave në rrugën Librazhd-Prrenjas, gjë që ka lënë të izoluar të gjithë juglindjen që prej 4 ditësh.
Në konferencën për mediat, kreu i ARRSH, Ami Kozeli tha se kishte patur disa arsye të ndryshme për këtë situatë të krijuar. Një prej tyre sipas tij kanë qenë edhe reshjet e dendura të shiut për një kohë të gjatë.
“Megjithatë reshjet e dendura të shiut gjatë orëve në vijim e rënduan situatën. Të shtunën në mëngjes, rrëshqitja kishte avancuar ndjeshëm duke shkaktuar spostim mbi 30 cm të njërit krah të urës. Si masë emergjente u bllokua qarkullimi mbi urë dhe u evidentuan aket alternative për qarkullimin e mjeteve.
Pavarësisht masave, rrëshqitja preku edhe bypassin provizor duke na detyruar të shpallnim bllokimin e plotë. Pas takimeve në terren dhe analizimit të materialeve u vendos mbledhja e këshillit teknik. Shkaku kryesor i kësaj situate mbeten reshjet intensive për një kohë të gjatë, erozioni lumor si dhe saturimi i masivit të tokës gjë që ka çuar në rrëshqitje masive”- tha Kozeli.
Teksa bëri publike disa prej vendimevetë marra, tha se do të ketë një devijim të rrjedhës së lumit Shkumbin për të shmangur përkeqësimin e situatës.
“Në mbledhjen e sotme u morën këto vendime:
Ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës.
Prishja e urës ekzistuese tashmë jashtë funksionit.
Është vendosur devijimi i rrjedhës së lumit që aktualisht godet trupin e hekurudhës për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës”- shtoi Kozeli. Versus.al



