
Pas ndërprerjes së energjisë elektrike në Reanimacionin Qendror të QSUT, puna u ndërpre totalisht.
Qytetarët ankohen se ikja e energjisë elektrike krijoi gjendje pasigurie për stafin, pacientët dhe familjarët e tyre. Në këtë situatë dhe pamundësisë për të mbajtur kushtet e nevojshme brenda dhomave të kujdesit intensiv, pacientët po nxirren me shpejtësi dhe po transferohen nëpër korridoret e spitalit.
“Situata doli jashtë kontrollit. Ka ikur korrenti dhe pacientët po i nxjerrin nga reanimacioni nëpër korridore. Nuk dihet se çfarë po bëhet, jemi në ankth të plotë sepse dritat nuk po vijnë," –denoncon një qytetar në QSUT.
Ky problem ngre pikëpyetje mbi gatishmërinë e gjeneratorëve dhe sistemit të emergjencës në spitalin më të madh në vend. Si është e mundur që një repart ku jeta e qytetarëve varet drejtpërdrejt nga aparaturat elektrike, të mbetet në errësirë dhe pacientët të përfundojnë në korridor në vend që të trajtohen në kushte optimale?
Drejtoria e QSUT-së nuk ka dhënë asnjë sqarim zyrtar për shkaqet e këtij defekti teknik dhe masat që po merren për të rikthyer normalitetin dhe sigurinë për pacientët që ndodhen në gjendje kritike.
View this post on Instagram

