
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka shkuar në Elbasan për të administruar praktikën dhe për të verifikuar rrethanat proceduriale lidhur me arrestimin e avokatit Ulian Bajrami.
Inspektimi po kryhet me iniciativë të ILD për të vlerësuar ligjshmërinë dhe korrektësinë e procedurave të ndjekura.
Avokati Bajrami u arrestua pas akuzave se kishte kërcënuar prokurorin e Elbasanit, Gjergj Cekën në Gjykatën e Elbasanit.
Sipas raportimeve, gjatë seancës dhe teksa po kundërshtonte provat e prokurorit, Bajrami i tha prokurorit se “do të merrem personalisht me prokurorin dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore”.
Avokati u lirua të hënën (20 tetor) pasi prokuroria e Elbasanit u shpreh se arrestimi i tij ishte i paligjshëm.
Ndërsa gjatë një interviste për emisionin ‘’Breaking’’, Barjami tha se ishte prokurori ai që e mori çdo gjë personale dhe se kishte deklaruar edhe në sallën e gjyqit se do e arrestonte avokatin.
“Nuk kam përdorur asnjë fjalë kërcënuese apo fjalë jo –profesionale. Kur u hapën pamjet filmike u kuptua se kishte mospërputhje. Kishte pasaktësi për atë çfarë ishte raportuar. Prokurori ka përdorur shprehjen “unë do ta arrestoj”, mesa duket e ka marrë personale. Veprimet e mia ishin ligjore”, deklaroi Barjami./Versus.al







