
Pas bllokimit për rreth 2 javë të juglindjes së vendit dhe torturës së qytetarëve përmes rrugëve alternative, për shkak të gërmimeve të pakontrolluara për korridorin VIII, si të mos mjaftonte kjo, ARRSH, ka vendosur të “shpërblejë” kompaninë përgjegjëse me një tender pa garë.
më 13 mars, institucioni përgjegjës për rrugët, shpalli tenderin “Emergjencë – masa parandaluese mbi rrëshqitjen në zonën e quajtur Ligata e Bicit, Dragostunjë”, me vlerën e fondit limit 937 milionë lekë.
Vetëm 6 ditë më vonë, ARRSH shpalli fituese kompaninë “A.N.K” sh.p.k me pronar Agim Kolën dhe vëllain e tij Ndue Kolën përmes negociomit për drejtpërdrejtë, pa njoftim paraprak të kontratës. Ligji në fuqi parashikon që negocimi i drejtëpërdrejtë bëhet vetëm në situata emergjence që duhen justifikuar nga ARRSH.
Ajo çfarë është edhe më e dyshimtë, është fakti se nuk kishte një emergjencë për faktin se segmenti i dëmtuar u rihap më 3 mars dhe u vizitua nga kryeministri Edi Rama i cili e konsideroi këtë një fatkeqësi me shkaqe natyrore.
Për këtë tender kanë bërë ofertat 2 kompanitë përgjegjëse për shembjen e rrugës Librazhd-Prrenjas, konkretisht “A.N.K” sh.p.k e Agim Kolës me ofertën 88,472,300 lekë pa TVSH dhe ‘2 T’ e Artan Sakos me vlerë 93,300,000”. Kompania 2T ishte në qendër të kritikave për shembjen në rrugën Qukës-Qafë Plloçë.
Fakti se të dyja ofertat kanë qenë shumë pranë njëra-tjetrës lë të dyshohet se oferta e 2T ka qenë për kundrapeshë, sa për të krijuar idenë se ka patur garë për këtë tender. Kujtojmë se në 2023-in, kompania A.N.K u shpall fituese e tenderit me vlerë 25 milionë euro për lotin e 4 të rrugës që u shemb në Dragostunjë. Versus.al


