Në vitin 2024, kompania italiane AGSM AIM ka shënuar një rritje të ndjeshme të aktivitetit të saj në Shqipëri, duke dyfishuar volumin e mbetjeve të trajtuara në Tiranë dhe duke raportuar fitime në rritje në tregun shqiptar.
Kjo vjen ndërsa grupi feston një bilanc rekord në Itali – me 53 milionë euro fitim neto, 137 milionë euro investime dhe 28.9 milionë euro dividentë të shpërndarë bashkive partnere.
Dokumentet e siguruara nga Syri TV tregojnë se një nga zhvillimet më të rëndësishme ka qenë zgjerimi i agresiv në kryeqytetin shqiptar përmes kompanisë Eco Tirana, një ndërmarrje publike italo-shqiptare ku AGSM AIM zotëron 49% të aksioneve, ndërsa 51% i përkasin Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 2024, Eco Tirana ka mbledhur mbi 220 mijë tonë mbeturina, duke shënuar një rritje prej +139% krahasuar me vitin e kaluar dhe duke shërbyer një popullsi afër 900 mijë banorësh.
Kompania italiane e cilëson këtë zgjerim si një sukses strategjik ndërkombëtar, që i jep AGSM AIM një profil të ri jashtë Italisë.
Në mars 2024, Bashkia e Tiranës zgjeroi kontratën për shërbimin e pastrimit të qytetit me Eco Tirana si partner kyç, duke shtrirë aktivitetin e pastrimit në disa zona të qytetit. Eco Tirana është themeluar në vitin 2016 si një shoqëri e përbashkët publike mes qyteteve të Veronës dhe Tiranës.
Pas një periudhe paqartësish financiare, ku AGSM Holding Albania (ish-aksionere ndërmjetëse) shënoi humbje dhe Eco Tirana kishte fitime modeste, në prill 2024 AGSM AIM mori nën kontroll 49% të Eco Tirana, duke likuiduar kompaninë ndërmjetëse dhe mbyllur kapitullin “Holding Albania”.
Dokumentet financiare të mëparshme tregojnë se ndërmarrje të tjera të lidhura, si Eco Recycling, kanë pasur humbje të konsiderueshme, duke ngjallur shqetësime për qëndrueshmërinë e këtij modeli.
Ndërsa AGSM AIM përfiton nga zgjerimi në një treg në zhvillim si Shqipëria, pyetja mbetet: A është kjo një strategji afatgjatë me ndikim real për të dy palët, apo një shembull tjetër i investimeve publike jashtë kontrollit dhe transparencës?







