Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari zhvilloi sot një konferencë me mediat ku foli edhe lidhur me urdhrin e ndalimit të monopatinave. Duke nënvizuar faktin se brenda 3 viteve të fundit, 2500 aksidente ishin shkaktuar nga këto monopatina elektrike, Lamallari tha se vendimi i ndalimit u mor për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
“Janë mbi 2500 aksidente duke përfshirë këtu edhe humbje jete. Mos të harrojmë faktin se janë mjete lëvizëze me një shpejtësi të caktuar dhe janë burim aksidentesh. Gjithashtu edhe kaos në trafik pasi drejtuesve të automjeteve u duhet të përballen edhe me ato momentet e pasigurta kur drejtues të vegjël në moshë shkakton problem.
Nuk jemi këtu për të qenë populist. Vendime të caktuara që mund të duken të forta në një moment të caktuar, provojnë se janë të duhurat sepse mbrojnë jetën e qytetarëve. Besoj se situata e mëparshme nuk mund të vijojë. Efektet që ai dha, 6 aksidente krahasuar me 2500 është shifër kokfortë dhe duhet marrë në analizë të kujdesshme për çdo hap të mëvonshëm”- u shpreh ai.
Sa i takon pyetjes nëse do të ketë një rikthim të këtyre mjeteve të sekuestruara dhe një rregullore të caktuar, Lamallari iu përgjigj duke thënë se me analizimin e shifrave të aksidenteve, është ende skeptik për përdorimin e tyre.
"Është e nevojshme t’u japim zë qytetarëve që duan të përdorin lirisht trotuaret e qytetit, pa qenë të rrezikuar nga persona të papërgjegjshëm edhe nën moshë që bëjnë Aventura në drejtimin e një mjeti që ka dëshmuar se është i rrezikshëm për jetën dhe shëndetin. Edhe këtyre duhet t’u japim zë, jo vetëm atyre që bëjnë komente në rrjete sociale.
Pasi jam njohur me statistikat zyrtare e kam të vështirë t’i injoroj ato pasi do ishte tradhti ndaj gjithë atyre të dëmtuarve, përfshirë edhe drejtues të monopatinave. Mbi 2500 raste në 3 vitet e fundit. Pasi jam njohur me këto statistika personalisht jam ngurrues që të shkoj me nisma ligjore deri në momentin që të kem diçka të menduar, apo nisma populiste sepse në fund të ditës jam këtu për të mbrojtur jetën e qytetarëve”- shtoi ministri. Versus.al

