
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Devollit, Eduart Duro si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Këtë të mërkurë, prokurori i posaçëm Dritan Prençi lexoi pretencën për kryebashkiakun socialist duke kërkuar dënimin nën akuzën e kryerjes së veprës penale të shpërdorimit të detyrës që mund t’i konvertohet në 3 vite shërbim prove dhe të mos-ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.
Të njëjtin dënim prokurori Dritan Prençi kërkoi edhe për 4 zyrtarët e tjerë, përkatësisht Astrit Seferkolli, Gazment Haxhia, Gazment Mali dhe Vosjava Bregu.
Në seancën e radhës që do mbahet javën e ardhshme mbrojtja do paraqesë kundërshtimet e saj dhe në fund gjykata do të vendos mbi dënimin ose jo të Duros.
Muaj më parë Duro u mor i pandehur për licensimin e një pike karburanti në Bilisht pavarësisht se ishte ndërtim pa leje. Kallëzimi u dorëzua në SPAK nga një subjekt tjetër, ndërsa përveç Duros u hetuan edhe 4 zyrtarët e tjerë të bashkisë për të cilët kërkohet dënimi.
Pasi u mor i pandehur, Duro u shpreh para mediave se do të vijojë të qëndrojë në detyrë pavarësisht hetimeve ndaj tij.
Në janar, kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla u dënua për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022. Ai vijon të mbetet në detyrë ndërsa ka deklaruar se dënimin do ta apelojë në Apelin e GJKKO. Versus.al








