AKTUALITET /

Masa të rrepta sigurie për derbin Partizani – KF Tirana në Arenën Kombëtare, rrugët e bllokuara

Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie për derbin Partizani – KF Tirana në Arena Kombëtare. Rrugët përreth stadiumit do të bllokohen, tifozët do të ndjekin itinerare të përcaktuara dhe do të kryhen kontrolle të rrepta në hyrje për sende të ndaluara. Fëmijët nën 16 vjeç duhet të jenë me prind ose kujdestar, ndërsa personat problematikë nuk do të lejohen në stadium.

Shkruar nga Versus

Masa të rrepta sigurie për derbin Partizani – KF Tirana në

Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie për zhvillimin e derbit mes Partizani dhe KF Tirana, që do të luhet sot në orën 16:30 në Arena Kombëtare.

Masat kanë për qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Nga ora 14:00 deri në përfundim të aktivitetit do të bllokohen disa rrugë, përfshirë Sheshin “Nënë Tereza”, rrugët “Lekë Dukagjini” dhe “Dervish Hima”, si dhe zonat përreth stadiumit.

Policia ka përcaktuar itineraret e lëvizjes për tifozët për të shmangur përplasjet dhe grumbullimet jashtë zonave të caktuara. Tifozët do të shoqërohen përgjatë rrugëve të miratuara dhe nuk do të lejohet devijimi nga itinerari i caktuar.

Në hyrje të stadiumit do të kryhen kontrolle të rrepta për sende të ndaluara, si mjete të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike. Secili tifoz duhet të ketë dokument identifikimi, ndërsa fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen pa prind ose kujdestar ligjor.

Gjithashtu, hyrja do të ndalohet për personat që janë identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive. Policia u bën thirrje tifozëve dhe qytetarëve të respektojnë masat dhe të shmangin përdorimin e automjeteve në zonat e bllokuara gjatë orareve të përcaktuara./Versus.al

Poll