AKTUALITET /

Mashtronin të huajt me ‘Forex’, çohen në gjyq 7 persona në Tiranë! Dy italianë drejtonin grupin

Shkruar nga Versus

Mashtronin të huajt me ‘Forex’, çohen në gjyq 7

Tiranë- Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen me 7 persona të pandehur nën akuzë për mashtrimin e shtetasve të huaj për investime në bursën “Forex”.

Hetimet e organit të akuzës të nisura në vitin 2023 kanë provuar se shtatë persona me inicialet: B.B., K.D., J.J., A.Ll., E.A., Gj.R., dhe L.Sh, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në ambientet e shoqërisë “OZAR” sh.p.k për të kryer veprimtari mashtruese. Skema drejtohej nga dy italianët L.C dhe S.S. ndërsa personat që kanë rënë pre e kësaj skeme mashtruese kanë qenë gjithashtu më së shumti shtetas italianë.

Këqyrja e aplikacionit “Ëhatsapp” zbuloi biseda me persona të ndryshëm të cilët kanë dërguar foto të kartave të identitetit. Këtyre personave u kërkoheshin shuma të ndryshme monetare për t’i investuar në bursën “Forex” me qëllim përfitimin e vlerave më të mëdha në këmbim.

Njëri prej italianëve të mashtruar ka kuptuar skemën mashtruese pasi fillimisht kishte kryer një pagesë prej 8700 euro pasi kishte firmosur një kontratë e cila parashikonte që ai të paguante në total një shumë prej 100 mijë eurosh. I mashtruari u është ankuar personave që kryenin mashtrimin, ndërsa këta të fundit i kishin kërkuar që të kryente një tjetër pagesë prej 3500 eurosh pasi pagesa e parë kishte shkuar me vonesë.

Roli i të pandehurve në skemën mashtruese:

Shtetasi Gj.R i punësuar në “Ozar” shpk ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në ndjekjen e klientëve dhe në koordinimin e punës së operatorëve. Ndërsa shtetasi L.Sh, ka pasur një rol të lartë funksional në strukturën e brendshme të aktivitetit, duke dhënë udhëzime, ndarë detyra, etj. Në këtë skemë, shtetasi E.A., figuron si administrator ligjor i shoqërisë “OZAR” sh.p.k. dhe përgjegjësia e tij lidhet me mosveprimin e tij si administrator, me faktin që ai ka pranuar të figurojë si drejtues i shoqërisë pa marrë masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin e shoqërisë për veprimtari të paligjshme. Shtetasi A.Ll ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese dhe në mbështetjen e operatorëve që ushtronin këtë veprimtari. Ndërsa shtetasit B.B., dhe K.D. kanë qenë në momentin e ndërhyrjes së policisë pranë “Ozar” me dijeni të plotë mbi natyrën mashtruese të aktivitetit që zhvillohej në këto ambiente dhe J.J. personi kryesor i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zgjidhjen e problemeve teknike të operatorëve dhe supervizorëve. Versus.al

Poll