
Njollat e gjakut të gjetura në pantallonat që Ilirjan Selmani kishte veshur tre ditë para arrestimit i përkasin Kozeta Teços, 52-vjeçares që ai dyshohet se ka vrarë.
Rezultatet e analizave laboratorike, të kërkuara nga grupi hetimor, kanë konfirmuar përputhshmërinë e ADN-së, duke e fundosur edhe më tej 31-vjeçarin e arrestuar mëngjesin e së hënës, vetëm disa orë pas ngjarjes tragjike.
Prokuroria e Korçës paraqiti këtë provë vendimtare në seancën për masën e sigurisë ndaj Selmanit, e cila u zhvillua të enjten në mesditë.
Fillimisht, ngjarja u raportua si aksidentale, pasi viktima u gjet e pajetë në banesën e saj të përfshirë nga flakët.
Por ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi plagë me thikë në trupin e saj, duke përjashtuar versionin e asfiksisë nga zjarri. Dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht nga autori për të fshehur gjurmët e krimit.
Pamjet e kamerave të sigurisë pranë banesës së Kozeta Teços rezultuan kyçe për zbardhjen e ngjarjes.
Ato tregojnë Ilirjan Selmanin duke u larguar nga zona rreth orës 05:00 të mëngjesit.
Gjithashtu, në afërsi të vendit të ngjarjes, hetuesit gjetën mes mbeturinave rroba dhe peshqirë të njollosur me gjak, të cilat sipas hetimeve janë përdorur për të fshirë gjurmët pas vrasjes.
Selmani fillimisht mohoi përfshirjen, duke pretenduar se nuk kishte kontaktuar me viktimën prej 10 ditësh. Por, i ballafaquar me provat filmike, ai ka pranuar se kishte qenë në banesën e saj mëngjesin e vrasjes.
Sipas të dhënave nga hetimi, autori e ka qëlluar Kozetën me thikë në qafë dhe në krahë. Më pas, ka tentuar të pastrojë gjurmët dhe të inskenojë një zjarr aksidental, në përpjekje për të zhdukur provat e krimit./Versus.al
Pamje teksa Ilirjan Selmani dërgohet në Gjykatën e Korçës:
View this post on Instagram







