
Është shtyrë për në orën 13:30 seanca në Gjykatën e Posaçme ku pritet të njihen me masën e sigurisë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi dhe bashkëpunëtorët e tyre Pirro Xhixha e Ema Çoku.
Në seancën e nisur në GJKKO në orën 09:30 ka pasur përplasje të ashpra mes kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe prokurorëve të SPAK. Sipas burimeve, Meta ka ofenduar rëndë kreun e SPAK, Altin Dumanin duke iu drejtuar me fjalët “Dumduman, qen”, ofendime që i ka bërë edhe në deklarata të mëparshme që ka pasur para mediave.
“Të kam vath në vesh, mbaje mend se çfarë kam për të të punuar”- mësohet të jetë shprehur Meta mes të tjerash.
Sipas raportimeve nga seanca gjyqësore, Altin Dumani ka qëndruar i qetë dhe nuk ka replikuar me Metën.
Raportohet se shpërthimi i Metës ka ardhur pasi gjatë fjalës së tij, prokurori i SPAK Arben Kraja, është shprehur se nuk ka pasur incident gjatë arrestimit të kreut të PL mesditën e të hënës, pavrësisht se në media u publikuan pamjet kur ish-presidenti u nxorr zvarrë nga automjeti me të cilin po hynte në Tiranë. Kanë qenë avokatët e të akuzuarve, ata të cilët kanë kërkuar shtyrjen e seancës për të pasur kohë që të njihen me aktet hetimore ndaj klientëve të tyre. Versus.al








