
Gjatë bisedës së zbardhur në SkyEcc mes Ervis Çelës i cili luante rolin e koordinatorit dhe furnizuesit me kokainë për elementë të ndryshëm kriminalë, bie në sy edhe fakti sesi paratë e pista të drogës investoheshin në prona e resorte luksoze si në rastin e Fadil Ballës, presidentit të klubit të futbollit “Erzeni” i cili rezulton të ketë ndërtuar një resort luksoz në Shijak me paratë e ardhura nga trafiku i drogës.
Në bisedën mes Ervis Çelës dhe Fadil Ballës, flitet për çmimin e shitjes së kokainës për të cilin Balla pretendon se i është ofruar një sasi prej 150 kg me çmim 31.5 mijë euro kilogrami.
“Ka ra bro, por ja të flas. Me 31.5 ma dha bobo para ca diësh e s’ja mora se kishte një 150 kg se me aq ishte prandaj them”- ka thënë Balla.
“E di unë te 28 të rrafin çekiçat ty. Sa copa do, mos u bon tafmaqar”- i ka shkruar Ervis Çela.
Fadil Balla nuk i përcakton sasinë duke ia lënë në dorë Çelës.
“Shyqyr kanë dalë tjerat, ca dush ti, sa të dush ti”-i është përgjigjur Balla duke i dërguar edhe një fotografi të punimeve që po realizoheshin në 2020-ën për ndërtimin e kompleksit “Ajman Park” në Shijak shoqëruar me mbishkrimin “më more në qafë, tashti nuk ndaloj mo unë”. Sipas SPAK kjo lë të kuptohet se të ardhurat nga trafikimi dhe shitja e kokainës, Fadil Balla do t’i investonte në resortin “Ajman Park”. Versus.al






